Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Sarah Olmstead, drejtoreshë e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.
Sipas Haradinaj ai i ka dhënë mbështetje të plotë projektit për gazin amerikanë Prishtinë Shkup dhe projekte te tjera strategjike që lidhen me jetën e qytetarëve të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Kosova ka arritur të ndërtojë demokraci të qëndrueshme dhe të avancojë në zhvillim, falë ndihmës së aleatëve tanë. Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm dhe programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve.
Sot kisha nderin të pres në takim zonjën Sarah Olmstead drejtoreshë e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, me të cilën bashkëbiseduam për sfidat në të cilat po kalon Kosova, dhe e falënderova për kontributin e shkëlqyeshëm të MCC, që përmes projekteve të shumta, dinamizojnë zhvillimet në forcimin e ekonomisë, sigurisë dhe demokracisë në vendin tonë.
I konfirmova edhe njëherë mbështetjen time për projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, si dhe për projektet e tjera strategjike në dobi të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.


