Lajme

Kongresisti Hoyer siguron Kosovën: Do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane

04/29/2022 12:24
nga:Genita C

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me udhëheqësin e shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, Steny Hoyer, raporton GazetaBlic.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Osmani tregoi detaje nga tema e diskutimit ku këtu përfshihet rëndësia e madhe e Amerikës për Kosovën.

“Kongresisti Hoyer na siguroi që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me aleatët tanë është tani më i rëndësishëm se kurrë më parë”, shkroi Osmani.

POSTIMI I PLOTË:

Me kongresistin Steny Hoyer, udhëheqës i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-vë, diskutuam gjatë rreth rëndësisë së përkrahjes amerikane në Kosovë e më gjerë, si dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë e lirisë, e cila në Kosovë është arritur pas shumë sakrificave.
Në këtë takim shumë përmbajtësor, diskutuam zhvillimet në kontinentin evropian pas luftës në Ukrainë. Kongresisti Hoyer na siguroi që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me aleatët tanë është tani më i rëndësishëm se kurrë më parë.