Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, ka thënë për Televizionin Insajder se Rusia nuk do ta njohë Kosovën dhe se mbetet konsistente me politikën e saj.
“Ne kërkojmë zbatimin e Rezolutës 1244, e cila duhet të zbatohet, edhe sipas mendimit tonë, ashtu edhe sipas të drejtës ndërkombëtare,” tha Bocan-Kharchenko.
Siç tha ai, Kosova është një çështje thelbësore e bashkëpunimit miqësor dhe vëllazëror mes dy vendeve dhe nuk ka sinjale se Rusia mund të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj kësaj çështjeje.
Bocan-Kharchenko tha se “Kosova mbetet precedent në të drejtën ndërkombëtare dhe se “shpallja e njëanshme dhe jolegjitime e pavarësisë” e Kosovës nuk duhet të lidhet me shkëputjen e Dombasit, sepse qytetarët e Donjeckut dhe Luhanskut votuan në referendum për shkëputjen nga Ukraina, e që sipas tij “nuk është rasti me Kosovën”.
“Qytetarët e republikave të Donetskut dhe Luhanskut nuk e njohin qeverinë në Kiev, e cila është rezultat i një grusht shteti të paligjshëm dhe antikushtetues”, tha ambasadori rus.


