Lajme

Kusari-Lila: E votojmë komisionin hetimor edhe me propozimet tona, jo vetëm të opozitës

04/28/2022 12:14
nga:Genita C

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të mbështesin formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë të propozuar nga opozita, por vetëm nëse merren parasysh edhe propozimet e tyre.

“E mbështesim një komision me pikat tuaja dhe të gjitha të tjerat që ne i kemi prezantuar. Vetëm me pikat tuaja nuk e mbështesim”, ka deklaruar Kusari-Lila.

“Pajtohemi me secilin pretendim tuajin, por megjithatë nëse dëshirojmë të jemi të përkushtuar po e zgjerojmë gamën e hetimit që do e bëj komisioni dhe në këtë aspekt kemi propozime shumë konkrete pa i hequr asnjë pikë e asnjë presë propozimit tuaj”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila, ka treguar edhe propozimet e tyre për formimin e këtij komisioni.

“Mungesa e investimeve, largimi i investitorëve serioz deri tek nisja e kapaciteteve të reja tek sektori i energjisë. Shthurja e njësive sekondare të KEK-ut, shpronësimet në Hade e Shipitullë, dhe në të gjitha këto e në shumë të tjera që janë paraqit në listën tonë nëse e keni interesimin me mocion procedural e përfshijmë një të përbashkët dhe e votojmë dhe i kemi të qarta procedurat parlamentare dhe të votimit”, është shprehur ajo.