Lajme

Krasniqi: Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend

04/27/2022 13:36
nga:Q R

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar masakrën nga forcat serbe në Mejë të Gjakovës, me ç’rast ka thënë se kjo masakër e cila është ndër më të mëdhatë në Kosovë, shpërfaq barbarinë e një regjimi, qëllimi i të cilëve ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, shkruan GazetaBlic.

Krasniqi në rrjetin social ‘Facebok’, ka shkruar se zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot kujtojmë 376 civilë të paarmatosur, të masakruar mizorisht nga forcat serbe në Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999. Fatkeqësisht, tani 23 vite pas, disa prej tyre ende janë të pagjetur.
Masakra e Mejës, ndër më të mëdhatë të kryera në Kosovë, shpërfaq barbarinë e një regjimi, qëllimi i vetëm i të cilit ishte spastrimi etnik i shqiptarëve. Por, gjurmët e këtyre krimeve nuk mund të fshihen asnjëherë. Zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimi i kriminelëve të luftës, do të jenë përherë kërkesat e Kosovës derisa drejtësia të vihet në vend.
Lavdi martirëve të Masakrës së Mejës!