Tyson Fury dhe Dillian Whyte janë gati për spektaklin e madh në botën e boksit.
Kampioni i WBC-së, Tyson Fury, 33 vjeç, do të mbrojë për herë të dytë titullin që e fitoi në vitin 2020. Përballë tij Dillian Whyte, 34-vjeç, edhe ai britanik, madje mik i hershëm i “The Gipsy King”, përcjell GazetaBlic Sport.
Pritet të jetë një meç shumë i luftuar, me 94 mijë tifozë të pranishëm në “Wembley”, me Furyn që konsiderohet si pak më favorit në këtë ‘luftë’.
Nëse kthehemi në kohë, ka një boksier shqiptar që është ndeshur me Tyson Furyn, me Sefer Seferin që kishte luftuar ndaj kampionit britanik në Manchester. Ai meç ishte zhvilluar në vitin 2018, me Furyn që kishte triumfuar pas vetëm katër raundesh.
Pikërisht, Seferi është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport‘ para meçit mes Furyt dhe Whyte. Seferi tha se Fury është një sportist i jashtëzakonshëm dhe se ai është favorit në këtë duel ndaj Whyte.
“Tyson Fury është një sportist i jashtëzakonshëm, ishte kënaqësi të luftoja me të. Mendoj se ai është favorit para këtij duel, por në peshat e rënda një pakujdesi mund të ndryshojë gjithçka“, tha fillimisht Seferi për ‘GazetaBlic Sport’.

Tutje, Seferi u deklarua se ka raporte shumë të mira me Furyn dhe tha se realizoi ëndrrën e tij kur boksoi me “The Gipsy King”.
“Ai më ka respektuar shumë para dhe pas meçit, e kam mik të mirë. Humbja është pjesë e sportit, por unë jam krenar që boksova ndaj boksierit më të mirë në botë. Natyrisht, kjo është ëndërr për të gjithë“, përfundoi Seferi.

Boksieri shqiptar, ka zhvilluar gjithsej 28 meçe, ku ka 24 fitore, 22 prej tyre me nokaut.

/GazetaBlic Sport/


