Lajme

Haxhiu: Qeveria po tenton të legalizojë nepotizmin e korrupsionin

04/23/2022 01:08
nga:Astrit Gashi

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur mbi raportimet për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal të madh financiar në Slloveni, duke thënë se më shqetësuese është përpjekja e pushtetit për ta mbrojtur ambasadorin.

“Niveli i demokracisë dhe ligjshmëria, por edhe gazetaria në Slloveni janë bukur profesionale, nuk lëshohen në spekulime por bazohen në fakte. Më shqetësuese se vetë skandali është përpjekja e pushtetit me e mbrojtë, në vend se të distancohen e të dënojnë këtë skandal, ata po dalin me e mbrojtë”, tha ai në në Klan Kosova.

Haxhiu sugjeroi se ambasadori do të duhej të paktën të suspendohej, deri në një hetim të plotë të gjithë ngjarjes.

“Këta që po e mbrojnë këtë skandal, në të kaluarën i kanë linçuar të tjerët. Me sa po e shoh, në qeverisjen aktuale po shohim një përpjekje për të legalizuar nepotizmin e korrupsionin. Ata që premtonin luftë kundër krimit e korrupsionit, sot po duan me e legalizu”, u shpreh Haxhiu.

“Ne e pamë që kompania të cilën e udhëheq zoti Berisha, e regjistruar në Mal të Zi, nuk i mohoi ato transaksione, por tha se ata kanë shpifur, nëse kanë shpifur, duhet t’i padisë ata, mirëpo ndërkohë pamë edhe disa publikime tjera në media, që ambasadori paska një kompani, e cila qenka konsulente e një kompanie serbe, e cila ka bërë tregti me energji në kohën e krizës në Kosovë, dhe zoti Berisha nuk e ka të deklaruar në deklarimin e pasurisë këtë kompani”.