Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka folur për skandalin financiar në të cilin dyshohet se është përfshirë Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj dhe një politikan opozitar slloven, Robert Golob, raporton GazetaBlic.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeziu ka mbrojtur ambasadorin kosovar në Kroaci.Ai thotë se, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat në drejtim të tij dhe do të sjell padi ndaj mediumit slloven.
“Ambasadori jonë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë”.
Në anën tjetër, Kryeziu thotë se në raste të tilla duhet të jemi të kujdesshëm dhe sipas tij këto pretendime po bëhen për një garë elektorale në një vend tjetër.
“Duhet të jemi të kujdeshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër. Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime”.
Në fund, Kryeziu thotë se Qeveria është llogaridhënëse dhe e përgjegjshme.
“Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”.


