Albert Krasniqi nga shoqëria civile ka reaguar për bllokimin e formimi të komisionit hetimor për energji nga ana e partisë në pushtet, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij nëse mazhoranca është duke bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë vetëm për të mos i dhënë kauzë opozitës, në fakt është duke bërë të kundërtën.
Krasniqi ka shkruar se Qeveria po rrezikon që çdo dyshim që ndërlidhet me keqpërdorim në sektorin e energjisë, të përdoret kundër tyre.
Reagimi i plotë:
Nëse mazhoranca është duke bllokuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë vetëm për të mos i dhënë kauzë opozitës, në fakt është duke bërë të kundërtën. Qeveria po rrezikon që çdo dyshim që ndërlidhet me keqpërdorim në sektorin e energjisë, të përdoret kundër tyre. Kjo strategji mund të jetë e duhura, vetëm nëse dëmet që mund të bëheshin nga të gjeturat e hetimit do të ishin më të mëdha.
Aspektet procedurale që janë ngritur për të kundërshtuar themelimin e komisionit janë të paqëndrueshme.
Kushtetuta e Kosovës parasheh caktimin e komisioneve parlamentare për çështje hetimore me kërkesën e një të tretës së deputetëve. Ky është një detyrim të cilit Kuvendi nuk mund t’i shmanget.
Grupi parlamentar që inicion themelimin e komisionit hetimor qartësohet në kërkesën për themelim, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve nënshkrues. Mandati i deputetit është individual, dhe vendimi i tij nuk mund të konsiderohen si qëndrim i një grupi kolektiv, ashtu siç është grupi parlamentar. Vendimet e grupit parlamentar merren bashkërisht dhe ato përfaqësohen nga shefi i grupit.


