Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka komentuar lajmin e fundit nga Qeveria e Kosovës për mospërkrahjen e tërheqjes së 30 përqindshit të mjeteve nga Trusti, raporton GazetaBlic.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Tahiri e cilësoi si një gabim të madh mospërkrahjen e nismës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Në anën tjetër, ai thotë se si Grup Parlamentar do të bëjnë çmos që ta mundësohet tërheqja e 30 përqindshit të mjeteve nga Trusti, sepse sipas tij është nevojë e domosdoshme për qytetarët në këtë kohë krize.
POSTIMI I PLOTË:
Edhe një gabim i Qeverisë!
Qeveria e Kosovës është humbur dhe tjetërsuar në petkun e pushtetit, ndërsa hallet dhe kërkesat e qytetarëve i trajton vetëm në fushatë zgjedhore. Qeveria e ka shumë gabim që nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Si Grup Parlamentar do të bëjmë çmos që ta mundësojmë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti. Tërheqja e kursimeve nga trusti, sidomos në kohën kur vendin e ka përfshirë kriza ekonomike, është shumë e nevojshme për këndellje të ekonomisë dhe familjeve kosovare. Pra, duhet shfrytëzuar të gjitha burimet, të gjitha alternativat duke shfrytëzuar në këtë rast edhe Trustin, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Mospërkrahja e qytetarëve në këtë kohë të goditjeve të mëdha ekonomike, tregon se kemi qeverisje pa Qeveri!


