Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Krasniqi, ka përgënjeshtruar deklarimet e Kryeministrit Kurti në këtë forumë i cili po zhvillohet në Prishtinë, duke mohuar se janë krijuar vende të reja të punës dhe se nuk ka pasur zhvillim ekonomik, raporton GazetaBlic.com
“E para, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që e dëshmon se kjo Qeveri ka krijuar vende pune për 25 mijë persona. Të vetmet punësime për të cilat mund të japin statistika, janë ato për familjarët e tyre që i kanë rahatuar në institucione të ndryshme publike, deri në KEK.
Dhe e dyta, rritja ekonomike nuk ka ndodhur, përkundrazi qytetarët janë varfëruar. Kjo është evidente edhe në raportin e fundit të FMN ku thuhet se rritja ekonomike në Kosovë, është më e vogla në 10 vitet e fundit“, ka shkruar Krasniqi, në reagimin e saj në publik.
Qeverinë Kurti, ajo e ka quajtur “qeveri mashtruese.”