Prokurori Milot Krasniqi thotë se me provat që do të administrohen në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet fajësia e Dhurata Hoxhës, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukajt, ish-sekretar dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani, të akuzuar për korrupsion.
Këto deklarata prokurori Krasniqi i ka dhënë në seancën e së hënës gjatë fjalës hyrëse të palëve, pasi që të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, prokurori Krasniqi e ka dorëzuar me shkrim fjalën hyrëse, ndërkaq gjatë seancës e ka bërë shtjellimin e saj.
Ai ka vlerësuar se gjitha provat në të cilat mbështet aktakuza do ta vërtetojnë këtu dyshimin se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarës Hoxha, avokati Florent Latifaj, fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim, Ai pretendon se do të vërtetohet pafajësia e ish-ministres Hoxha.
Latifaj tha se në udhëzuesin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për këtë vepër penale shkruan se përpos dashjes nevojitet edhe qëllimi i kryerjes së veprës, pra që me kryerjen e kësaj vepre të përfitohet diçka ose të shkaktohet dëm, e në rastin konkret tha se cili është dëmi i shkaktuar.
Andaj, sipas tij gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të provohet e kundërta e asaj që thuhet në aktakuzë dhe ajo që është thënë në fjalën hyrëse të prokurorit.
“Inicimi i kësaj procedure ka qenë për lobim, pra qëllimi ka qenë krejt dikund tjetër”, shtoi ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, avokati Mehdi Geci fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim si dhe ka pretenduar se provat e prokurorisë janë të pa mbështetura.
Ai tha se nuk do të vërtetohet në asnjë mënyrë që i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.
“Pretendimi i prokurorisë është mbështetur në ekspertin financiar të propozuar nga prokurori, ekspertiza është totalisht e pa qëndrueshme në aspektin profesional, pra është jo profesionale, jo ligjore”, shtoi ai.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Demush Shasha, avokati Tahir Rrecaj në fjalën hyrëse ka thënë se i mbrojturi i tij do të lirohet nga akuza me pretendimin se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se veprimet e të mbrojturit të tij nuk manifestojnë asnjërin nga elementet që përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën është akuzuar.
Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Kushtrim Cukaj, Albana Kelmendi në fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim dhe ka pretenduar që do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj.
“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet e kundërta e asaj që është shkruar në aktakuzë, për arsye se i njëjti nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore”, tha ajo.
Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nuhi Osmanit, avokati Hajriz Salihu fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim si dhe ka shtuar se e kundërshton në tërësi aktakuzën pasi që sipas tij ka shumë të meta.
Ai tha se me provat që do të prezantohen në shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e Zyrtares së Lartë të IT-së dhe Logjistikës në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në cilësi të dëshmitares, e cila ka thënë se ka qenë pjesë e komisionit për verifikim të faturave të shërbimeve me operatorin ekonomik “Majorelle PR & Events”.
Pjesë e këtij komisioni sipas saj kanë qenë edhe Novitet Nezaj dhe Taulant Abazaj.
Ajo shtoi se në diskutimet me operatorin ekonomik “Majorelle PR & Events”, apo siç e quan ajo operator amerikan, kishin biseduar lidhur me uljen e çmimeve të shërbimeve.
Ndërsa ka shtuar se për negocim apo mënyrën e negocimit të uljes së çmimeve të shërbimeve nuk ka pasur ndonjë rekomandim nga ministrja apo dikush tjetër.
Ajo tha se faturën e pagesës për shërbimet e kryera nga operatori ekonomik “Majorelle PR & Events” nuk e kishte nënshkruar.
“Mu ka dok që pak shërbime janë kry prandaj edhe nuk e kam nënshkruar”, tha ajo.
Ndërsa në shumicën e pyetjeve e njëjta është përgjigjur që nuk i kujtohen.
Pas dëgjimit të dëshmitares Hamza, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti seancën e ka ndërprerë dhe të radhës e ka caktuar më 17 qershor 2022.
Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison StrategiesLLC”.
Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “MajorellePR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.
Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast ia ka mundësuar “MajorellePR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison StrategiesLLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.
Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.
Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj. /BetimipërDrejtësi
LDK-ja kritikon ashpër paraqitjen e kryediplomates Gërvalla në OKB


