Lajme

Menaxhmenti i ri në shërbim të Armend Mujës, mbyll sytë para dokumenteve

04/20/2022 18:38
nga:Genita C

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja sa ishte analist i zgjedhjeve në RTK ka fituar një privilegj që nuk po mund ta thyej as menaxhmenti i ri.

Një shumë prej 1000 euro ishte transferuar gabimisht nga RTK-ja në xhirollogarinë e Mujës. Ai kishte pranuar që t`i kthej paratë me këste por këto para ende nuk janë kthyer. Edhe përkundër dokumenteve dhe emailave të siguruar nga Gazeta Insajderi, tashmë nga RTK thonë se në të dhënat e tyre nuk ekziston asnjë detyrim financiar që Muja ka ndaj RTK-së.

Armend Muja, në maj të vitit 2017 kishte lidhur kontratë për shërbime me Televizionin Publik të Kosovës si analist.

Muja ishte angazhuar që gjatë fushatës zgjedhore të bëhet analiza zgjedhore. Për këtë angazhim sipas marrëveshjes me RTK-në, Muja do të paguhej 60 euro (bruto) për një ditë paraqitje.

Bazuar në këtë marrëveshje, për pesë paraqitje brenda javës në fund të muajit RTK kishte obligim të paguante 300 euro bruto ndaj Mujës ndërsa pas përllogaritjes së tatimeve dhe kontributeve në llogarinë e tij do të transferoheshin 256 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Por gjatë transferimit të mëditjeve administrata e RTK-së kishte gabuar llogaritjet për muajin shtator e tetor dhe në llogari të Mujës, kishin transferuar 1000 euro më shumë sesa që ishin marrë vesh. Pasi që e kishin vërejtur gabimin RTK i ishte drejtuar me email Mujës duke i kërkuar atij, që t`i kthente.

Gazeta Insajderi ka pyetur U.D drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj se a do të kërkojnë nga Muja që t’i kthejë paratë.

Në përgjigjen e tij, Ahmetxhekaj ka thënë se nga të dhënat e departamentit të financave nuk rezulton që Muja t’i ketë detyrime financiar RTK-së.

“Nga të dhënat e departamentit të financave, z. Muja nuk rezulton t’i ketë detyrim financiar RTK-së. Pra, nuk mund t’i kërkoj kthimin e parave, përderisa një detyrim i tillë nuk ekziston në regjistrat e RTK-së”, tha Ahmetxhekaj për Insajderin.

Mirëpo, vetë Muaj në një prononcim për Gazetën Insajderi kishte konfirmuar se ka pasur marrëveshje si analist i zgjedhjeve në kohë fushate edhe para vitin 2017.

“Me Zyrën e Financave të RTK, jam dakorduar që urdhërpagesa e gabuar të kthehej prapa nëse pretendonin se ishte bërë ndonjë gabim, ashtu siç parashihet me Ligjin për Sistemin e Pagesave. Pra, nëse institucioni dërgues ka bërë ndonjë gabim, gjë që mund të ndodhë, të njëjtin të rregulloj përmes transferit bankar. Gabimi ishte i tyre ata duhej të rregullonin këtë”, tha Muja për Insajderin.

Ai madje ka konfirmuar që i është kërkuar nga RTK-ja kthimi i parave, duke mos u përgjigjur specifikisht në pyetjen se a i ktheu 1000 euro apo jo RTK-së.

“Kërkesa që unë t’i kthej paratë në dorë me është dukur e quditshme, informale dhe e jashtëligjshme – jo vetëm se binte ndesh me Rregullat Bankare por edhe nga fakti se të hyrat ende figuronin si transfer bankar nga RTK. Për mua çështja ka qenë e zgjidhur sepse bëhej fjalë për shuma të vogla (nuk mbaj mend por mund të ketë qenë diç ndërmjet 128-343 euro, këtë nuk mund ta them me siguri)”, tha Muja.