Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke komentuar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili pasqyroi se rritja ekonomike për vitin 2022 në Kosovë, është më e vogla në 10 vitet e fundit, vlerëson se urgjentisht duhet të drejtohemi në sektorin privat, të ketë pako për rimëkëmbje si dhe diplomaci aktive ekonomike.
Gërxhaliu në një prononcim për GazetaBlic thotë se situata ekonomike në Kosovës eshtë shqetësuese, prandaj, sipas tij, duhet angazhim i mirëfillt.
“Është e vërtetë që viteve tu fundit kemi pasur një proklamim të një rritje ekonomike shumë të madhe në Kosovë, mirëpo ka qenë një rritje ekonomike e bazuar vetëm në indikator dhe ky indikator ka qenë rritje e konsumit. Mirëpo, falë faktit që jemi shëndrruar në një shoqëri të varur nga importi dhe në vitin 2021 kemi importuar afër 4 miliard e 700 milion euro, kemi importuar një inflacion që e ka goditur shtresën e mesme. Dhe në mars të vitit 2022 shkalla e inflacionit është 10%. Ky është shqetësimi më i madh që në mënyrë direkte ose indirekte do të ndikoj edhe në ndaljen e hovit të kësaj rritje. Ajo çka duhet vërtetë Kosova të bëjë është urgjent të drejtohet në sektorin privat, të ketë pako për rimëkëmbje sepse ne s’kemi partneritet të mirëfillt publiko- privat dhe mbi të gjitha duhet ta kemi një diplomaci enorme aktive edhe politike, por në veqanti ekonomike. Prandaj situata është shqetësuese dhe duhet angazhim”, thotë ai.
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që bruto prodhimi i brendshëm (GDP) i Kosovës të rritet për 2.8 për qind këtë vit, duke e zvogëluar për 1.7 për qind ne krahasim me parashikimin e bërë në tetor.
Rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9 për qind vitin e ardhshëm dhe në 3.5 për qind më 2027, tha FMN-ja në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, publikuar të martën.
Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5 për qind.
Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023, tha FMN-ja.
Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1 për qind si përqindje e GDP-së më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9 për qind më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7 për qind më 2023.
FMN-ja pret që GDP-ja e zonës së Evropës në zhvillim, ku përfshihen edhe Rumania, Turqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të ulet për 2.9 për qind më 2022 para se t’i kthehet një rritjeje prej 1.3 për qind më 2023.
“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë të kushtueshme humanitare, e cila kërkon zgjidhje paqësore. Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga konflikti do të kontribuojë në një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes globale më 2022 dhe shtim të inflacionit.
Çmimet e ushqimit dhe naftës janë rritur shpejt, duke i goditur më së shumti popullsitë e ndjeshme në shtetet me të ardhura të ulëta”, theksoi FMN-ja.
Për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind.
FMN: Rritja ekonomike për vitin 2022 në Kosovë, më e vogla në 10 vitet e fundit


