Sporti

Klopp me mesazh të madh pas ndeshjes ndaj Manchester United: Të gjithë jemi me Cristiano Ronaldon në këto momente

04/20/2022 08:13
nga:Mergim Rreci

Jurgen Klopp ishte i lumtur pas fitores ndaj Manchester United, ndeshje kjo që përfundoi me rezultat 4-0.

Trajneri i Liverpool theksoi dominimin e futbollistëve të tij gjatë gjithë ndeshjes, përcjell GazetaBlic Sport.

“Nuk është diçka shumë e zakonshme dhe nuk mendoj se ky rezultat do të bëhet normal, nuk është. Ata nuk janë në një moment të mirë të cilit i shtojnë disa lëndime. Në fakt, vetëm shikoni se kur Pogba u largua [dëmtim në 10’] ata ishin pa shumë nga mesfusha e zakonshme dhe besoj se Rangnick nuk dëshiron të luajë me Bruno Fernandes dhe Matic atje në qendër. Asgjë kundër lojtarëve, por nuk është mënyra e tyre e zakonshme e lojës. Ne kishim praktikisht 75% të posedimit të topit dhe të detyruar të mbroheshim, gjë që nuk është e lehtë. Unë e kuptoj anën e tyre”, tha fillimisht Klopp.

Së fundi, Klopp ka lënë një mesazh për Cristiano Ronaldon, i cili ka munguar pas vdekjes së një prej binjakëve.

“Të gjitha mendimet tona janë me Cristiano Ronaldon dhe familjen e tij. As që mund ta imagjinoj këtë situatë. Na vjen shumë keq për të”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/