Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha sot në Kuvend se opozita po kërkon të formohet komisioni hetimor për rrymën në kohën kur po zhvillohet lufta në Ukrainë, cila bazën e konfliktit e ka në resurset dhe në mospasjen e mundësisë së pavarësimit energjetik të disa shteteve të BE-së, të cilën Rusia po e shfrytëzon.
Në një konferencë për media, Kusari Lila tha se nuk ka bërë asnjë referencë në “formimin e komisionit hetimor parlamentar me luftën që po ndodh në Ukrainë”.
“Unë kam thënë që për një temë siç është energjetika ose situata me furnizimin me energji elektrike, për një rrethanë në të cilën resurset energjetike përfshirë edhe naftën e gazin, kanë shkaktuar edhe një luftë sot siç e dimë rastin e luftës Rusi-Ukrainë dhe ndikojnë që kjo luftë të zgjatet për shkakun e varshmërisë së Evropës nga furnizimi nga Rusia”.
Ajo ritheksoi se në Kuvend ka pasë vazhdimisht pengesa gjatë këtij procesi
“Ne këtu në Kuvend kemi pasë vazhdimisht vetëm pengesa gjatë procesit, s’ka qenë e lidhur me komisionin hetimor parlamentar, por për mosmbështetjen e opozitës për shpalljen e gjendjes emergjente në energji elektrike të cilin muaj më parë, ata vetë kanë deklaruar se mund të ballafaqohemi, ndërsa kur e kemi sjellë ne në kuvend nuk e kanë mbështetur”.
“Gjithmonë këto vendime në raport me situatën me energji elektrike i kemi sjellë vet si pozitë, s’ka pasë mbështetje nga opozita”.
“I kam përmend pengesat e vazhdueshme që i kanë bo ata [opozita], të cilët po thirren që duan t’i zbardhin vendimet, përderisa asnjëherë s’kanë pranuar të jenë pjesë e gjetjes së zgjidhjeve për situatën me energji elektrike. Nuk kam bërë asnjë referencë në formimin e komisionit hetimor parlamentar me luftën që po ndodh në Ukrainë”, tha tutje Kusari-Lila.


