Ambasada britanike ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, përfshirë Presidentin e tyre Aleksandar Vuçiq, për aeroplanin ushtarak që zbarkoi të premten në Prishtinë.
Fluturakja që ateroi të premten në Prishtinë aktivizoi Beogradin të nisë një fushatë kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës gjatë gjithë fundjavës, me arsyetimin se aeroplani po bartte armatim të rëndë për Forcën e Sigurisë së Kosovë.
Zyrtarët e lartë serbë, përfshirë këtu edhe presidentin Vuçiq, pretenduan se brenda këtij aeroplani kishte brenda raketa “Javelin” dhe “NLAW” të cilat po përdoren edhe nga forcat ukrainase për luftë kundër trupave ruse.
Gazeta Express ka pyetur KFOR-in dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar rreth pretendimeve të Vuçiqit me vartës se po e armatosin Kosovën.
Britanikët në Prishtinë thonë se qëllimi dihet dhe se aeroplani ka ardhur për trupat britanikë, të vendosur në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.
“KFOR-i tashmë ka lëshuar deklaratë, ku e ka shpjeguar se qëllimi i fluturimit ka qenë operacion ndihmues për forcat britanike të vendosura në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Për këtë aeroplan, përfolja e të cilit është kthyer në agjendë disaditore e zyrtarëve serbe, kishte njoftuar zyrtarisht KFOR-i.
“Këtë jave, avioni i forcave ushtarake të Mbretërisë ‘A400M’ fluturoi nga Britania në Kosovë, për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore ushtarake britanike, në KFOR”, thuhet në postimin e publikuar në faqen zyrtare të KFOR-it, në Facebook. Postimi shoqërohej me fotografi të aeroplanit që po ateronte në Prishtinë.


