Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar për TV Prva se është seriozisht e shqetësuar për armatosjen e Prishtinës, si dhe për faktin se ky proces se po dërgon porosi serioze.
“Kurti thotë se ne po armatosemi, ndërsa dikush tjetër po e armatos atë. Unë jam e shqetësuar se sa mbështetje ka pasur ai që serbëve të mos i lejojë të drejtën themelore për të votuar, fillimisht në referendum dhe pastaj në zgjedhje,” tha Brnabiq.
Ajo theksoi se gjëra të tilla destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se për këtë mbetet për t’u folur.
Duke folur për deklaratën e kryeministrit malazez në largim, Zdravko Krivokapiq se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shantazhuar me ushqime, Brnabiq ka thënë se “është shumë e turpshme dhe se është fyerje e drejtpërdrejtë edhe për Serbinë, edhe për presidentin Vuçiq”.
“Është një gënjeshtër brutale. Askush nuk e ka shantazhuar, Vuçiq nuk ka pasur kontakt me të. Ne thjesht u përpoqëm ta presim mirë në Serbi, të kemi bashkëpunim të mirë pavarësisht, se çfarë deklaratash vijnë nga Mali i Zi në Serbi. Ne u përpoqëm që kur ishte gjëja më e ngutshme të siguronim vaksina për Malin e Zi, oksigjen, grurë. Ne u përpoqëm t’u sigurojmë të gjithëve në rajon gjërat më të rëndësishme kur askush nuk i shkonte në mendje ta bënte këtë”, tha Brnabiq.


