Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, e ftuar në DPT te Fidani, ka folur lidhur angazhimin e ministres së Jashtme Donika Gërvalla, e cila vjen nga grupi i saj politik. Statovci, ka lavdëruar punën e ministres, duke thënë se ka arritur disa suksese në diplomaci.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur me angazhimin e saj, si në trajtimin e çështjeve lokale, por edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo para gazetarit Fidan Jupolli.
Statovci, ka thënë se është shumë e lumtur nëse gabimi më i madh i një ministreje është një lëshim në Twitter, të tillë çfarë ka bërë disa herë ministrja Gërvalla.
“Ne shohim që raportohen në media disa lëshime eventuale. Për mua nëse gabimi më i madh që e ka bërë ministrja e jashtme, është një tweet ose një flamur, atëherë jam shumë e kënaqur. Nëse nga ajo ministre s’ka asnjë skandal, kur e dimë se çfarë skandale të përfshirë ish-kryediplomatët e këtij vendi dhe tash me llupë këqyret ai flamur, atëherë ndihem shumë e lumtur”, ka thënë ajo.,
Statovci ka thënë se janë zyrtarët e ministrisë që shkruajnë në Twitter, e jo ministrja.
“Janë elemente teknike, që vijnë nga ekipa e ministres”, ka theksuar ajo.
Statovci ka folur edhe për bashkëpunimin e Guxo me Vetëvendosjen, duket thënë se ky bashkëpunim ka arritur një sukses të jashtazakonshëm dhe të paparë ndonjëherë.
“Koalicioni VV-Guxo, ka rezultuar në një sukses të jashtëzakonshëm politik. Ka thyer të gjitha rekordet. Kapërcimi në një rezultat të tillë, mund të them që është i paparë. Dallojmë ideologjikisht, por na bashkojnë vlerat dhe objektivat e përbashkëta. Problemet e Kosovës janë aq evidente, saqë çështjet ideologjike as që vijnë në shprehje”, ka theksuar deputetja.


