Lajme

Hill dhe Brnabiq biseduan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për situatën në rajon

04/15/2022 19:56
nga:Astrit Gashi

Kryeministrja e Qeverisë Teknike të Serbisë, Ana Brnabiq, ka takuar ambasadorin e ri të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, dhe ka thënë se shpreson që marrëdhëniet tashmë të mira ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së të përmirësohen edhe më tej gjatë mandatit të tij.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se dialogu është mënyra e vetme dhe më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Ambasadori i ri amerikan, Christopher Hill, mbërriti në Beograd më 31 mars, por ai edhe më parë ka qenë në shërbimin diplomatik në rajon.
Sipas Qeverisë, Hill tha se e njeh mirë rajonin dhe se është“e qartë se Serbia po përparon në drejtimin e duhur”.

Brnabiq dhe Hill, siç u njoftua, ranë dakord se në periudhën e ardhshme do të punojnë së bashku për ruajtjen e paqes dhe forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh se ky është “kusht i të gjitha kushteve për përparim në Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.”

Kur është fjala për situatën aktuale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Brnabiq dhe Hill u pajtuan se dialogu është mënyra e vetme dhe më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Brnabiq theksoi se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut dhe e orientuar drejt së ardhmes.

Brnabiq theksoi se Shtetet e Bashkuara janë një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm i Serbisë, si dhe se kompanitë amerikane punësojnë një numër të madh të qytetarëve dhe punojnë në disa projekte kapitale, siç është Korridori i Moravës, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Serbisë.