Lajme

Sveçla reagon sërish pas sulmit kundër policëve: Sulme terroriste me qëllim të vrasjes së policëve

04/15/2022 15:30
nga:Astrit Gashi

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, me anë të një postimi në Facebook ka reaguar sërish për sulmet gjatë ditëve të fundit kundër pjesëtarëve të policisë në veri të vendit.

“Zyrtarët kufitar të Policisë së Kosovës, sot janë ballafaquar me sulmin e katërt që u është bërë brenda 3 ditëve në veri të vendit. Të gjitha sulmet kanë ndodhur në një hapësirë të caktuar gjeografike, Zubin Potok deri në Bërnjak. Asnjëri nga këto sulme terroriste nuk ka pasur qëllim frikësimin por eliminimin e zyrtarëve policor dhe kjo u vërtetua sot, kur janë sulmuar veturat e tyre me granata dore dhe kallashnikov të llojit AK47”, ka shkruar Sveçla.

Ai më tutje shtoi se siç është theksuar edhe më herët dhe sot në konferencë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Samedin Mehmeti, këto sulme mund të kenë ardhur prej atyre që po u pengon luftimi i krimit e kontrabandës dhe stabiliteti në vend. Gjithsesi, kjo ju mbetet organeve të drejtësisë për ta vërtetuar.

“Sulme të tilla terroriste ndaj institucionit që garanton rend dhe ligj janë edhe ndaj shtetit. Ne mbesim të përkushtuar të vazhdojmë luftën ndaj krimit të organizuar e kontrabandës me çdo kusht. Ky fakt padyshim ka lëkundur themelet e grupeve ilegale por nuk ka kthim prapa”, ka shkruar ministri i Brendhëm.

“Në anën tjetër rreshtimi i Serbisë përkrah Rusisë, armatimi i saj nga Rusia, Kina e Bjellorusia tregojnë qartë që ka tendenca për destabilizim të vendit tonë. Ne jemi në nivelin më të lartë të detyrës dhe përgjegjësive tona. Misioni ynë është siguria e qytetarëve tanë, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, këtë padyshim se po e bëjmë”, ka nënvizuar Sveçla.