Sporti

Barcelona fillon hetimet: Në stadium kishte më shumë se 30 mijë tifozë gjermanë, kjo është turpëruese

04/15/2022 08:47
nga:E K

Barcelona u eliminua çuditërisht në çerekfinalet e Europa League nga Eintracht Frankfurt.

Skuadra e pozitës së nëntë të Bundesligës fitoi Nou Camp 3:2 dhe arriti në gjysmëfinale ku do ballafaqohet kundër West Ham pasi kaloi tutje me rezultat të përgjithshëm 4:3, përcjell GazetaBlic Sport.

Rreth 80,000 tifozë ishin në tribunat e stadiumit të Barcelonës. Mediat spanjolle shkruajnë se ishin rreth 49 mijë tifozë vendas dhe rreth 31 mijë tifozë vizitorë.

Gjermanët morën 5000 bileta, por brenda stadiumit kishte rreth 30,000 tifozë të Frankfurtit në Camp Nou.

Sipas rregullores së UEFA-s, Barcelona dërgoi pesë mijë bileta për Frankfurt, por kishte afërsisht gjashtëfish më shumë tifozë gjermanë, gjë që shkaktoi zemërim te shumë anëtarë të Barcelonës, shkruan Mundo Deportivo.

Ata tifozë të Barcelonës që shkuan në ndeshje ishin veçanërisht të zemëruar sepse në shumë raste ishin të rrethuar nga tifozët e ekipit rival në oborrin e shtëpisë së tyre. Mundo Deportivo i kërkoi Barcelonës të shpjegojë situatën.

Drejtuesit e klubit katalanas pohojnë se gjermanët kanë blerë bileta në të gjitha mënyrat e mundshme dhe kanë përdorur mënyra alternative blerjeje. Për shembull, një qytetar spanjoll mund të blinte një biletë në emër të dikujt tjetër, dhe shumë bileta mund të bliheshin me rishitje. Qytetarët gjermanë që banojnë në Spanjë mund të marrin gjithashtu një biletë.

Rreth 26,000 tifozë të Barcelonës ngrinë biletën e tyre të sezonit për arsye të ndryshme, kështu që vendet e tyre ishin të disponueshme për shitje online.

Për praninë e madhe të tifozëve kundërshtarë u ankuan edhe lojtarët e Barcelonës si dhe trajneri Xavi.