Analisti politik, Arbër Vllahiu, ka thënë se Qeveria Kurti është treguar e mirë në ‘luftën’ kundër gazetarëve, por jo edhe në atë kundër korrupsionit, për çka edhe u kritikua në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Kjo qeveri ka treguar se është shumë e mirë në luftimin e gazetarëve, por jo në luftimin e korrupsionit në total. Kur flasim për mbylljen e çdo sistemi të informimit brenda këtij sistemi që ekziston sot. Në aspektin e komunikimit me opinionin publik, Qeveria e sotme e Kosovës ka mungesa të mëdha – nuk është transparente, komunikuese dhe nuk i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve – dhe probleme të theksuara”.
Ai, në “Rubikon” të Klan Kosovës, tha se problemi i mungesës së komunikimit të Qeverisë së Kosovës me mediat dhe gazetarët është për shkak se ky komunikim kalon nëpërmes Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kjo qeveri funksionon përmes Zyrës së Komunikimit të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk funksionon përmes Zyrës së Komunikimit të Qeverisë së Kosovës. Qeveria nuk mund të funksionojë mbi bazën partiake”.
Vllahiu ka komentuar edhe gjetjet e tjera të raportit të DASh-it me theks të veçantë ato për mosndëshkueshmërinë e korrupsionit në nivel të lartë për çka tha se duhet vullnet politik i veprimeve dhe jo vetëm i fjalëve.
“Emëruesi i përbashkët i krejt rajonit është mosndëshkueshmëria në luftimin e korrupsionit, posaçërisht në nivelin e lartë. Çka nënkupton korrupsioni i zyrtarëve të lartë shtetërorë? Niveli i korrupsionit të lartë është diçka që kërkon vullnet të plotë politik për ta luftuar. Pa këtë vullnet nuk mund të luftohet korrupsioni. Kemi të bëjmë me zyrtarë shumë të lartë shtetërorë qoftë të të kaluarës apo të ditëve të sotme”.
“Vullneti do të duhej të përcaktohej në forma të ndryshme, nëse është vetëm deklarativ atëherë nuk është vullnet i veprimit apo i kryerjes së punëve. Për vullnet deklarativ i kemi parë të gjitha qeveritë e kaluara që kanë folur për luftimin e korrupsionit në Kosovë në nivele të ndryshme, përfshirë edhe atë të lartë”.


