Lajme

Kryeziu: “Mos ka VV tendencë që të përdorë pushtetin për t’u ndaluar paraqitjet e analistëve apo publicistëve në media?”

04/14/2022 21:04
nga:Astrit Gashi

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, me anë të një postimi në Facebook, ka kritikuar zyrtarë e VV-së, duke theksuar se në mesin e tyre duket se ekziston një tendencë që nga përdorimi i fjalëve të kalohet në përdorimin e pushtetit për t’u ndaluar paraqitjet e analistëve apo publicistëve në media.

“Zyrtarët e VV-së dhe këta pararojet e tyre politike, nuk e di nëse janë emancipuar dhe po mundohen të shkëputen nga e kaluara e tyre?
A po ndoshta po mundohen të aktrojnë dhe kanë harruar se prej vitesh të tana, ndër mjetet më të fuqishme politike në masë të madhe nga ta kanë përdorur linqimet dhe fyerjet ndaj kundërshtarëve politikë, mediave e aktivistëve të shoqërisë civile dhe çdo qytetari që ka menduar ndryshe nga ata. Nuk e di se cilat nga këto të dyja janë, apo është tendencë që nga përdorimi i fjalëve të kalohet në përdorimin e pushtetit për t’u ndaluar paraqitjet e analistëve apo publicistëve në media”, shkroi Kryeziu.

Siç dihet, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pas të ofendimit që analisti Halil Matoshi, ia bëri ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Haxhiu e dënoi këtë gjuhë, teksa tha se njerëzve të tillë assesi nuk duhet t’u mundësohet pjesëmarrja në debate televizive.

Ndryshe analisti Matoshi në debat e sipër ofendoi mbrëmë ministren Nagavci duke e quajtur “budallicë”.

Gjatë ditës, Matoshi ka kërkuar publikisht falje për këtë deklaratë të tij.