Lajme

Dick Marty deklarohet sërish: Aktakuza ndaj Thaçit nxiti planet serbe për vrasjen time

04/14/2022 12:38
nga:Genita C

Dick Marty ka zbërthyer pretendimet për një skenar të segmenteve të shërbimeve intelgjente serbe për eliminimin e tij.

Ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, i cili është autor i raportit për krimet e pretenduara të UÇK-së të miratuar në KE më 2010, tha të mërkurën në një podcast për televizionin zviceran RSI se plani i shërbimeve sekrete serbe përfshinte fajësimin e kosovarëve.

Intervista e së mërkurës e ish-senatorit Marty paraqet daljen e tij të parë në publik që prej deklarimit të parë për planifikimin e vrasjes së tij, e cila tronditi opinionin publik në Kosovë.

“Urrejtja që është ndjellur ndaj meje më ka bërë që të jem pikë shënjestres. Kjo është shfrytëzuar në një mënyrë absolutisht cinike dhe perverse nga një pjesë e elementeve radikale nacionaliste serbe, që pjesërisht zënë vend në shërbimet sekrete dhe institucionet serbe – për t’i diskredituar kosovarët duke eliminuar Martyn, ngase të gjithë do të besonin që kosovarët do ta kishin kryer atë akt, pas 11 vitesh fushatë kundër meje”, u shpreh Marty në intervistën për RSI, të cilën e transmetoi Nacionale.com.

Ish-senatori është shprehur se ka paralajmëruar Zvicrën qe një vit që të përgatiste terrenin për reagim publik.

“Që para një viti i kam paralajmëruar autoritetet zvicerane që ta përgatisnin terrenin se si do të reagonin publikisht, sepse herët apo vonë e dija që do të shpërndahej në media. Kemi pasur në shtëpinë tonë për katër muaj të tërë forcat e rendit nga të gjitha ekipet e mundshme, përfshirë ato të Inteligjencës”, tha më tej ai.

“Elementi që ka shpërthyer këtë skenar cinik dhe pervers nga disa ekstremistë nacionalistë serbë është pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit, të cilit i është dashur të japë dorëheqje”.

“Në fakt, ka një koinçidencë absolute mes kërcënimeve ndaj meje dhe ngritjes së aktakuzës ndaj eprorëve të UÇK-së, që s’ka të bëjë asgjë me mua, edhe pse është e vërtetë që unë kam qenë ai që ka nxitur këtë proces, por në vitin 2010”.

Marty thotë se ajo që ka pasur për të thënë mund të jetë përpjekje për të heshtur të vërtetën e papërshtatshme për Serbinë.

“Rasti shkon përtej emrit tim të përveçëm. Sipas meje, gjithandej, edhe nëpër demokracitë e konsoliduara, po lind një lëvizje që dëshiron t’i heshtë ato zëra që vënë në spikamë të vërtetat e papërshtatshme”, thotë ai. Marty është pyetur edhe për bashkëpunimin e tij me shtetin serb – duke qenë se është akuzuar që ka rënë pre e propagandës ruse e serbe – e për të cilin tha se “është munduar të mos shkonte kurrë në Serbi”.

“Universiteti i Beogradit më ka ftuar disa herë. Libri im është përkthyer në serbokroatisht. Jam munduar të mos shkoj kurrë në Serbi, sepse jam munduar të qëndroj gjithmonë jashtë politikës”.

Por, çka i mungonte privatisht më së shumti Martyt në këtë jetë të re të imponuar me kufizim të jashtëzakonshëm të lirisë së lëvizjes.

“Më mungon të dalë në shëtitje me qenin tim. Pastaj, të mos mund të dalësh ashtu siç ke dëshirë ti, dhe të mos mund ta konsumosh një kafe jashtë, është e bezdisshme”, u shpreh Marty.“Nuk kam frikë për vete. Kam frikë nëse u ndodhë ndonjë gjë mbesave apo nipave të mi. Une tashmë kam kaluar gjysmën e jetës time. S’kam arsye të frikësohem”.

Po ashtu, Marty i bëri thirrje ministrisë së Drejtësisë së Zvicrës që të tregohej më e matur në deklarimet publike sa i përket konfliktit Ukrainë-Rusi. Sa i përket masakrës së Buças, e cila ishte cilësuar nga ministrja e Drejtësisë së “krim kundër njerëzimit”, u shpreh Marty.

Kujtojmë që si pasojë e raportit të tij të miratuar në Këshillin e Evropës janë në paraburgim disa prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ky raport hidhte akuza të rënda ndaj pjesës më të lartë të hierarkisë së UÇK-së, duke përfshirë edhe trafikimin me organe, gjë e cila megjithatë nuk është futur mes akuzave që rëndojnë mbi ta.