Finlanda pritet të vendosë brenda javësh dhe jo muajsh nëse do të aplikojë për anëtarësim në NATO, tha sot kryeministrja finlandeze, Sanna Marin.
Duke folur në Stokholm pas një takimi dypalësh me kryeministren suedeze Magdalena Andersson, ajo tha se do të ishte më mirë të koordinohej me Suedinë për të marrë vendime të ngjashme sigurie.
“Ne duhet të kemi një pikëpamje për të ardhmen dhe ne po e përdorim këtë kohë për të analizuar dhe gjithashtu për të ndërtuar pikëpamje të përbashkëta për të ardhmen kur bëhet fjalë për sigurinë”, tha Marin.
“Nuk do të jap asnjë lloj date se kur do të marrim vendimet tona, por mendoj se do të ndodhë mjaft shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”.
Parlamenti finlandez mori sot një letër mbi ndryshimet në mjedisin e sigurisë së vendit pas sulmit të fqinjit të saj Rusisë ndaj Ukrainës.
Raporti pritet të nënshkruhet nga ligjvënësit dhe të bëhet publik gjatë ditës së sotme.
Andersson nuk shkoi aq larg sa Marin, duke thënë se Suedia ishte ende duke peshuar vendimin dhe duke vënë në dukje se atje ka zgjedhje në shtator.
Nga ana tjetër, mediumi suedez “Svenska Dagbladet” duke u thirrur në burime të tyre raporton se kryeministrja suedeze Andersson ka vendosur që të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe ka për qëllim që Suedia të anëtarësohet në aleancën veriatlantike në muajin qershor.


