Lajme

Sindikata e Policisë i reagon Kurtit për shtesën prej 100 eurosh: Çka pas muajit prill?

04/13/2022 12:17
nga:N M

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën në një konferencë për media njoftoi se qeveria që ai drejton do të ndajë një shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat, publik, pensionistët dhe studentët.

Në këtë konferencë, i pari i ekzekutivit tha se kjo shtesë do të jetë vetëm për një muaj.

Mirëpo, këtë shtesë nga Sindikata e Policisë së Kosovës po e shohin të pamjaftueshme.

Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, për Gazetën Infokus, ka treguar arsyen pse nuk mund të jenë të kënaqur me këtë shtesë.

“S’është e mjaftueshme se është për një muaj, është vetëm për një muaj. Kjo është ajo që nuk mundemi me qenë të kënaqur me këtë shtesë”, tha Zeqiri.

Madje, ai ka një pyetje për qeverinë.

“Po të ishte deri në implementim të ligjit po, përndryshe kjo po më duket që është vetëm për muajin prill, kështu që është e pamjaftueshme se është veç për një muaj. Çka në muajin tjetër? Çka
pas muajit prill?”, ka thënë i pari i Sindikatës së Policisë.

Zeqiri njoftoi se Sindikata e PK-së ka kërkuar nga Kurti që të rrisë pagat deri në implementimin e Ligjit për Paga.

Gjithashtu, ai njoftoi se opsion tjetër ndaj qeverisë ka qenë edhe 200 euro shtesë për policinë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që me vendim, kryeministri me bo rritje të pagave deri në implementim të ligjit ose 200 euro shtesë për policinë. Unë kështu e kam kërku dhe qëndroj prapa kësaj kërkese”, ka thënë kryetari i Sindikatës së PK-së.

Kujtojmë së shtesa prej 100 eurosh është në kuadër të pakos së Ringjalljes Ekonomike, ku vlera totale e kësaj pakoje është mbi 100 milionë euro e që prej saj do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

AAK për vendimin e Qeverisë për pagën minimale: Paaftësi e Kurtit për t`iu përgjigjur gjendjes reale në vend