Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj nismës së Qeverisë se Kosovës që paga minimale të jetë në Kosovë 250 euro neto, raporton Gazeta Blic.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë për Gazeta Blic se kjo nismë e qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti, po dëshmon edhe njëherë se është e paaftë për t`iu përgjigjur kërkesave dhe gjendjes në vend.
Madje, ai ka thënë se si subjekt politik kërkojnë që kjo pagë të mos jetë nën 400 euro.
“Paga minimale të jetë 370 euro që nënkupton 400 bruto. Vendimi i sotëm është edhe një pazotësi e qeverise me ju përgjigje gjendjes së rendë në vend. Në fakt, vlerësimet e fundit tregojnë se 250 euro ka arritur paga në shumë veprimtari të sektorit privat”, ka thënë ai.
AAK disa herë kishte kërkuar përmes deklarimeve në Kuvend apo edhe konferencave për media që paga minimale në Kosovë të jetë 400 euro bruto.
Por një kërkesë pothuajse të ngjashme e kanë edhe Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, të cilët para se qeveria të marrë nismë për pagën minimale prej 250 euro neto, kanë thënë se ajo duhet të jetë së paku 300 euro neto.
Qeveria miraton rishikimin e buxhetit, shtohen 150 milionë euro


