Problemet e dëmtimit të Zlatan Ibrahimovic vazhdojnë pasi 40-vjeçari detyrohet të jetë jashtë për të paktën 10 ditë për shkak të problemeve në gju.
Veterani suedez ka humbur tashmë 16 ndeshje për shkak të lëndimit këtë sezon dhe problemet e tij fizike po vazhdojnë të jenë shqetësuese, duke e lënë atë të frustruar jashtë fushës. Ibrahimovic ishte një nga katër lojtarët kuqezi që nuk udhëtoi me skuadrën për ndeshjen e tyre pa gola kundër Torinos të dielën, përcjell GazetaBlic Sport.
Siç raporton Sky Sports Italia, Ibrahimovic do të detyrohet të jetë përsëri jashtë të paktën për 10 ditë, për shkak të mbingarkesës së gjurit, duke e detyruar atë t’i nënshtrohet trajtimit. Ai do të mungojë në ndeshjet e ardhshme kundër Genoas dhe Lazios, si dhe gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë kundër Interit.
40-vjeçari Ibrahimovic ka luajtur vetëm 19 ndeshje në Serie A këtë sezon, për një total prej 937 minutash. Në atë kohë, ai ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë dy asistime, duke vazhduar të jetë lider në dhomën e zhveshjes.
/GazetaBlic Sport/


