Lajme

Biden është informuar për sulmin me armë në Brooklyn, nga qytetarët u kërkua të shmangin lagjen “Sunset Park”

04/12/2022 17:35
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është informuar për sulmin me të shtëna armësh në Brooklyn, ku mbetën të plagosur të paktën 13 persona.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka bërë të ditur se Biden është duke u informuar për situatën në New York.

“Presidenti Biden është informuar për zhvillimet më të fundit në lidhje me të shtënat në metro të qytetit të New Yorkut.Personeli i lartë i Shtëpisë së Bardhë është në kontakt me kryebashkiakun Adams dhe komisionerin e policisë Sewell, për të ofruar çdo ndihmë sipas nevojës,” ka shkruar Psaki në Twitter.

Edhe Zyra e kryetarit të qytetit të Nju Jorkut dhe guvernatori i shtetit kanë thënë se po ndjekin nga afër situatën në Brooklyn.

Njerëzve u është kërkuar që të qëndrojnë larg zonës së stacionit “36th Street” në lagjen “Sunset Park”.

Në një postim në Twitter, Fabien Levy, sekretari i shtypit për kryebashkiakun e NYC, Eric Adams, tha se kryebashkiaku tashmë është duke u informuar për situatën.

“Ndërsa mbledhim më shumë informacion, u kërkojmë banorëve të New Yorkut të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që reaguesit e parë të mund të ndihmojnë ata në nevojë dhe të hetojnë,” tha ai.