Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi për largimin e ministres së jashtme Donika Gërvalla nga seanca, për një takim që ajo e kishte në agjendë.
Për largimin e saj reaguan Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me ç’rast, edhe vendosën ta lëshonin sallën.Konjufca, tha se “më nuk ka kuorum për ta vazhduar seancën”, dhe kësisoj përfundoi për ditën e sotme.
Në Kuvendin e Kosovës sot u diskutua për politikën e jashtme.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, lëvduan punën e Qeverisë deri sot e në veçanti politikën e jashtme, derisa opozita e kritikoi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më 22 mars të vitit 2021 kur e filluan mandatin qeverisës, politikën e jashtme e kishin gjetur në gjendje të vështirë.
Ai ka thënë se nuk kishte asnjë përgatitje për aplikim në organizata ndërkombëtare dhe asnjë analizë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet që nuk e njohin Kosovën.
“Pas një viti kemi një situatë rrënjësisht tjetër. Republika e Kosovës ka një përfaqësim dinjitoz. Diplomacia merr forma të ndryshme varësisht prej nevojave të kohës… MPJD-ja ka përpiluar strategjinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vendet që ende nuk na njohin. Republika e Kosovës ka filluar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet e reja dhe kemi përafruar raportet me disa vende tjera”, ka thënë ai.


