Lajme

SHBA dërgon në Sllovaki sistemin raketor “Patriot”

04/09/2022 14:21
nga:Astrit Gashi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë një bateri të sistemit anti-raketor Patriot në Sllovaki, pasi Ukraina mori sistemin anti-ajror S-300 nga Bratisllava, raporton televizioni amerikan ABC News.

“Me urdhërin tim dhe me ftesë të Sllovakisë, Komanda Evropiane e SHBA-së do të zhvendosë në Sllovaki një sistem raketash Patriot të operuar nga anëtarë të ushtrisë amerikane. Kohëzgjatja e vendosjes së tyre ende nuk është përcaktuar, pasi ne vazhdojmë të konsultohemi me sllovakët. Qeveria është për një zgjidhje më të qëndrueshme të mbrojtjes ajrore”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Një bateri kundërajrore Patriot me bazë në Gjermani është vendosur në Poloni për këtë qëllim dhe ai sistem së shpejti do të zhvendoset nga Polonia në Sllovaki për të zëvendësuar sistemin S-300, të cilin Sllovakia e dërgoi në Ukrainë, shpjegoi një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.

Një marrëveshje e tillë është diskutuar që nga muaji i kaluar, kur ministri sllovak i Mbrojtjes Jaroslav Nagy tha se vendi i tij ishte gati t’i dorëzonte Ukrainës sistemin S-300 të epokës sovjetike, me kusht që mbrojtja ajrore sllovake të kompensohej menjëherë.

Pas kërkesave të përsëritura nga Ukraina për ndihmë në mbrojtje kundër sulmeve ajrore ruse, Sllovakia i dhuroi Ukrainës sistemin e saj të mbrojtjes ajrore S-300 për të ndihmuar në mbrojtjen e saj nga agresioni rus, tha dje kryeministri sllovak, Eduard Heger.