Lajme

Sllovakia i dhuron Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore S-300

04/08/2022 15:42
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, tha se shteti i tij i ka dhuruar Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore S-300, që janë prodhim sovjetik.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku së bashku me zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian, sot takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zelensky më herët ka kërkuar këso lloj sistemesh, teksa ka biseduar muajin e kaluar me ligjvënësit amerikanë. Ai ka bërë thirrje që t’i dhurohen sistemet S-300, pasi sipas tij, do t’i lejojnë Ukrainës që të “mbyllë qiellin” për avionët luftarakë dhe raketat ruse.

Anëtaret e NATO-s Bullgaria, Sllovakia dhe Greqia kanë sisteme S-300, të cilat mund të hedhin raketa me qindra kilometra larg dhe mund të rrëzojnë raketa dhe avionë luftarakë.

Më herët, Sllovakia kishte deklaruar se ishte e gatshme t’i jepte Ukrainës sistemet S-300, por me kusht që ato t’i kompensoheshin.