Lajme

Konkursi për zyrtarë korrektues – reagon SHKK

04/07/2022 16:37
nga:Genita C

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se në konkursin për Zyrtar Korrektues, komisioni përzgjedhës duke u bazuar në rregulloren për procedurat e rekrutimit për Zyrtar Korrektues ka zhvilluar procedurën e rekrutimit dhe ka shpallur rezultatet e vlerësimit të kandidatëve.

Sipas SHKK-së, komisioni përzgjedhës ka qenë i pavarur dhe profesional, dhe nuk ka pasur as edhe presionin më të vogël gjatë përzgjedhjes.

“Në këtë procedurë të rekrutimit nga 620 kandidatë janë përzgjedhur 50 zyrtarë korrektues, pas publikimit të listës brenda afatit prej 30 ditësh, janë pranuar 16 ankesa, Komisioni i Ankesave ka shqyrtuar dhe vendosur në të gjitha rastet, ankesat janë refuzuar, kandidatët janë udhëzuar që kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, thuhet në komunikatën e SHKK-së.

“Mbas kësaj, Shërbimi Korrektues i Kosovës u bënë thirrje të gjithë atyre personave të cilët pretendojnë se gjatë procedurës se rekrutimit ka pasur ndonjë shkelje, të njëjtat t`i përcjellin tek organet kompetente”.