Lajme

Szunyog për heqjen e vizave: BE-ja e ka bërë punën e vet, Qeveria t’i kryej detyrat e shtëpisë

04/07/2022 11:30
nga:N M

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka organizuar konferencë në 6-vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), për të diskutuar ndikimin e saj në ekonomi, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomash Szunyog,tha se me nënshkrimin e MSA-së janë hapur shumë mundësi për Kosovën në aspektin ekonomik.

Prandaj sipas tij, Qeveria duhet që ta mbështes sektorin privat, duke shtuar se detyrë vendimtartare mbetet shtyrja përpara e reformave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

“Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova është zgjeruar sa i përket tregtisë. Kjo do të krijojë stimulim në tërheqjen e investitorëve të huaj. Kosova është zotuar në bashkërenditjen e aspekteve ekonomike. Sundimi i ligjit është në thelbin e MSA. Për të stimuluar ekonominë, MSA-ja ofron atë që është e nevojshëm fuqizimi i sektorëve në treg në ekonomi, pajtueshmëria e produkteve me standardet e BE, sigurimi i funksionimit të institucioneve nga Autoriteti i Konkurrencës deri të sundimi i ligjit” tha ai

“Qeveria duhet të mbështesë sektorin privat. Qeveria e ka detyrë vendimtare ta shtyjë Kosovën drejt reformave për sundimin e ligjit. Kosova duhet të drejtojë përpjekjet për rritjen e energjisë së ripërtritshme”.

Szuynog kur foli për heqjen e vizave tha se nuk e kupton pse ky proces nuk ka ndodhur më herët, por pohon se BE-ja e ka kryer punën që i takon, kurse Qeveria duhet që t’i kryej detyrat e shtëpisë.

“Liberalizimi i vizave është e vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani, por nuk është çështje e BE-së, sepse ne e kemi bërë punë tonë.Do të doja të shihja që Qeveria tu ofrohet shteteve anëtare. Do të doja të shihja edhe Qeverinë të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të punojë me shtet anëtare” tha ai.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se kanë ndërmarrë të gjitha hapat për zbatim të marrëveshjes duke filluar nga hartimi i ligjeve, ku sipas tij, 30 ligje janë duke u shqyrtuar nëpër komisione.

Krejt këto reforma tha ai kanë synim që ambienti i të bërit biznes në Kosovë të jetë më i favorshëm.

Tutje ai tha se edhe përkundër sfidave si pandemia e kriza energjetike kanë arritur që në vitin 2021 të ketë rritje ekonomike prej mbi 10%.

“Kemi aprovuar në Qeveri planin e MSA-së, dhe shpresojmë të aprovohet sot në Kuvend. Unë koordinojë agjendën e integrimeve mirëpo puna e madhe është bërë në ministri të linjës dhe një numër të madh të ligjeve veç i kemi përfunduar. Janë edhe 30 ligje nëpër komisione. Boshti i marrëveshjes sillet rreth ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Këto dy marrëveshjet kanë marr përsipër shumë obligime rritjen e konkurrueshmërisë. Një fushë tjetër ka të bëjë edhe me shërbimet financiare. Ideja është që ambienti e të bërit biznes në Kosovë të jetë më i favorshëm. Dy vjetët e fundit kanë qenë të vështira për shkak të pandemisë. Tani goditja tjetër na ka ardhur nga kriza energjetike. Me gjithë këto sfida kemi arritur të përfundojmë vitin 2021 me shifra të mëdha të ekonomisë për 10.53% që e bënë Kosovën se ka pasur rritje ekonomike dyshifrore. Për datën 5 prill kemi rritje të të hyrave buxhetore për 25.4%. Ne në këta tre muaj kemi shënuar ulje të tatimeve në pronë. Këtë vit situata do të jetë dukshëm më e mirë” tha ai.