Lajme

Bajrami përmend deklaratën e famshme të Kurtit: Qytetari i thoshte “të lumtë goja”

04/07/2022 10:48
nga:Donika Fetahu

Deputetja Hykmete Bajrami ka folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Bajrami kujtoi premtimin e kryeministrit Kurti se nuk do t’i punësonin kushërinjtë dhe urimin që ia kishte bërë atij një qytetar.

“Të gjithëve na kujtohet videoja e famshme e kryeministrit Kurti në fushatën e fundit ku thoshte ‘Kushërinjtë janë për dasma, nuk ka me shku në ministri me krejt kushërinjtë’. Dhe në atë video dëgjohej qytetari duke i thënë ‘Të lumtë goja’. Domethënë, qytetarët verbërisht i kanë besu Z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Bajrami.

Ish-ministrja e Financave nga foltorja e Kuvendit tha se “nuk dola këtu që të them se nuk ka pasur nepotizëm në të kaluarën”, por shtoi se dëshiron t’ju tregojë qytetarëve se “Lëvizja Vetëvendosje ju ka mshtruar”.