Lajme

Szunyog i zhgënjyer me propozimin e KPK-së për propozimin e Isufajt si kryeprokuror i Shtetit

04/06/2022 18:10
nga:Q R

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog është shprehur i zhgënjyer pas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i Shtetit.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se përkundër thirrjeve të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë dhe transparente, KPK i ka shpërfillur ato.

“Me gjithë thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, shkroi ai.

Ndryshe, edhe tri organizatat jo qeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL kanë vlerësuar se propozimi i Këshillit Prokurorial për emërimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit është i papranueshëm.

Përmes një komunikate të përbashkët, OJQ-të u shprehën se KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për këtë pozitë, të sqarojë dhe sigurojë se kandidati ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet kësaj pozite.