Lajme

Rusia e mohon masakrën në Bucha: “Washingtoni dhe Brukseli janë skenaristët dhe regjisorët, Kievi janë aktorët”

04/05/2022 11:35
nga:Astrit Gashi

Ministria e Mbrojtjes ruse ka prezantuar një version tjetër të ngjarjeve të fundit, duke thënë se shërbimet speciale ukrainase kishin organizuar vrasje të civilëve në qytetet ukrainase në një përpjekje për të përhapur propagandë përmes mediave perëndimore.

“Ushtarët e Qendrës kryesore të 72-të të Ukrainës për Operacione Psikologjike kryen një tjetër filmim të organizuar të civilëve që dyshohet se janë vrarë nga veprimet e dhunshme të forcave të armatosura ruse”, tha ministria.

Siç raporton Reuters, MPJ e Rusisë vazhdoi të thotë se “ngjarje të ngjashme tani janë organizuar nga shërbimet speciale ukrainase në Sumy, Konotop dhe qytete të tjera”.

Sot më herët, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha se imazhet që kanë dalë nga Bucha janë “të rreme e që janë pjekur në imagjinatën cinike të propagandës ukrainase dhe të sajuara për shuma të mëdha parash”.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse tha se situata në Bucha është një provokim që synon diskreditimin e Rusisë.

“Washingtoni dhe Brukseli janë skenaristët dhe regjisorët dhe Kievi janë aktorët. Nuk ka fakte – vetëm gënjeshtra”, tha Medvedev.

Nuk ka asnjë provë që mbështesin këto pretendime ruse.