Lajme

Ekipi i CNN i shpëton granatimit nga ana e forcave ruse

04/05/2022 11:04
nga:Astrit Gashi

Një ekip i CNN ishte duke filmuar një reportazh pranë Mykolaivit, pranë qytetit të Aleksandrovka, kur granatat filluan të binin vetëm 150 metra larg tyre. Automjeti i tyre u shkatërrua, njoftuan ata, por për fat të mirë të gjithë anëtarët e ekipit shpëtuan.

Korrespondenti i CNN, Ben Wedeman, producenti Kareem Khadder, fotoreporteri John Torigoe, përkthyesja Valeriia Dubrovska dhe ekipi i tyre ndaluan në një kryqëzim për të biseduar me disa ushtarë ukrainas.

Ndërkohë që po filmonin, filluan të binin granata. Ata u shtrinë në tokë ndërsa granatimet vazhduan.

“Ramë përtokë dhe më pas vrapuam drejt makinave. U hodhëm në Mitsubishi Pajero, por u shkatërrua. Makina nuk donte të ndizej.Të gjithë xhamat u thyen”, thanë ata.

Ekipi vrapoi drejt automjetit tjetër të tyre, i cili gjithashtu u dëmtua nga copëzat. Ata arritën të futeshin dhe të largoheshin me makinë.