Sporti

“Nesër luajmë me 12 lojtarë”, Guardiola ia kthen me ironi gazetarit që e pyeti për taktikën kundër Atletico Madridit

04/04/2022 18:15
nga:L J

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atlético de Madrid.

Skuadra e tij takohet nesër me Atletico Madridin me fillim nga ora 21:00, përcjell GazetaBlic Sport.

“Në Champions League gjithmonë mendoj shumë. Unë krijoj gjithmonë taktika të reja, ide të reja… dhe nesër do të shohim një të re. Prandaj kam pasur rezultate shumë të mira në Champions League. Puna ime do të ishte e mërzitshme nëse e bëjmë gjithmonë në të njëjtën mënyrë kundër rivalëve, të cilët luajnë ndryshe”, tha fillimisht ai.

Kur u pyet për taktika, ai u përgjigj me ironi, duke theksuar se mendon shumë dhe ndoshta nesër luan me 12 lojtarë.

“Nëse njerëzit do të mendojnë se unë do të përgatis të njëjtën ndeshje kundër Liverpool-it si kundër Atléticos… gabojnë sepse kjo nuk më pëlqen. Lëvizjet e lojtarëve të Liverpoolit janë krejtësisht të ndryshme nga ato lëvizje të Atleticos. Sidomos sepse lojtarët janë të ndryshëm. Duhet të përshtatni gjithçka… dhe kjo është arsyeja pse më pëlqen të mendoj gjithçka shumë dhe të krijoj taktika budallaqe. Sonte do të marr frymëzim dhe do të krijoj një taktikë të mrekullueshme. Nesër ne luajmë me 12”, ka përfunduar me shaka trajneri spanjoll.

/GazetaBlic Sport