Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar një vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës me të cilin konfirmohet ligjshmëria e zgjedhjeve të FFK’së të datës 6 prill pas anulimit të ankesës së Gramoz Vokrrit.
Kandidati për kryetar të FFK’së, Gramoz Vokrri kishte dërguar rastin në Gjykatë Themelore pas refuzimit të kandidaturës së tij nga ana e Federatës.
GazetaBlic Sport ka kontaktuar me ekspertin ligjor, Selim Selimi, për të komentuar refuzimin e ankesës së Vokrrit nga ana e Gjykatës Themelore.
Selimi thekson se Gjykata Themelore është ngutur me vendimin, teksa shtoi se palët kanë të drejtë ankese.
“Nuk e di për pjesën e arsyetimit – por është raportuar se gjykata e ka hudhur poshtë propozimin për mase të sigurimit. Duke marrë parasysh se situata në FFK është tensionuar skajshmërisht mendoj se gjykata është dashur që të aprovojë masën e sigurimit (masë e përkohshme) në menyrë që të ngrijë procedurat dhe të mund të vendos objektivisht. Palët kanë të drejtë ankese dhe shpresojë që në ankesë do të merret masa që të lejohet një zgjidhje e nyjes procedurale e cila është shkaktuar pa nevojë. Secili kandidat ka të drejtë zgjedhjeje dhe të zgjedhurit – por kjo duhet të bëhet me procedura transparente dhe të barabarta”, tha Selim Selimi për ‘GazetaBlic Sport’.
Vlen të theksohet se Federata e Futbollit të Kosovës pritet të mbajë Kuvendin Zgjedhor me 6 prill, pra të mërkurën në një hotel në Prishtinë.
/GazetaBlic Sport


