Lajme

“Trouw”: Ka ardhur koha që Holanda të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën

04/01/2022 15:49
nga:Astrit Gashi

Në shkrimin autorial, të publikuar në gazetën holandeze, “Trouw”, eurodeputeti holandez Thijs Reuten dhe aktivisti Stefan van Dijk, kanë kërkuar që Holanda të mbështes Kosovën demokratike dhe kanë kërkuar që të hiqet bllokada për udhëtim pa viza, bllokadë të cilën Reuten dhe van Dijk e quajnë “të pakuptimtë”.

Tutje të dy përmendin faktin se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar se Kosova i ka plotësuar kushtet dhe se objektivisht është e gatshme për të marrë liberalizimin e vizave.

Derisa theksojnë se për fat të keq ka shtete anëtare të cilat s’janë dakord, e këtu bëjnë pjesë Franca dhe Holanda.

Të dy holandezët, autor të shkrimit, thonë se Qeveria e Holandës nuk është mjaftueshëm e bindur për progresin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa theksojnë se një qëndrim i tillë është i pa qartë dhe vështirë i vërtetueshëm.

Përveç kësaj, Reuten dhe van Dijk thonë se një qëndrim i tillë i Holandës është i motivuar edhe politikisht, dhe shtojnë se duke vepruar në një mënyrë të tillë, politika holandeze po minon një proces që është ndërtuar mbi kritere të paanshme.

“Duke vepruar kështu, politikanët tanë minojnë një proces që është ndërtuar mbi kritere të paanshme”, thuhet në tekstin e përbashkët.
Të dy autorët thonë se duke mos mbajtur premtimet, rrezikohet që Kosova të largohet nga gjiri Evropian.

“Duke mos i mbajtur premtimet, rrezikojmë ta largojmë popullin e Kosovës nga ne. Kjo nuk është në interesin e askujt, as në interesin tonë”, theksohet tutje.

Reuten dhe van Dijk shtojnë se në këtë kohë kur disa vende po shfaqin tendenca autokratike, atëherë duhet dhënë mbështetje një vendi demokratik dhe të orientuar drejt BE-së si Kosova. Të dy thonë se është koha që Holanda të heq bllokadën ndaj kosovarëve për çështjen

“S’është e nevojshme që të shpjegojmë se sa e padëshirueshme është që vendet e Ballkanit Perëndimor të shikojnë drejt Rusisë dhe Kinës, në vend të Bashkimit Evropian. Në një kohë kur disa vende evropiane po shfaqin tendenca autokratike, ne duhet të mbështesim një vend demokratik, të orientuar drejt BE-së si Kosova. Është koha për të lënë mënjanë ndjenjat e brendshme dhe për t’u dhënë kosovarëve sinjalin e duhur. Është koha që Holanda të heqë bllokadën e pakuptimtë kundër udhëtimit pa viza”, thuhet në këtë shkrim.