Një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është sulmuar para disa ditësh nga një koleg i tij, në ambientet e këtij dikasteri. Por si ndodhi ngjarja për këtë rast, i cili po mbahet fshehtë nga publiku.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se rasti ka ndodhur të martën, më 29 mars, kur një zyrtar MMPHI-së dyshohet se sulmoi një zyrtar tjetër. Atë ditë, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, pasi është ftuar nga viktima e këtij rasti.
Zyrtari i cili dyshohet se u sulmua nga kolegu i tij ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë edhe pushim mjekësor nga departamenti ku shërben.
A është hapur rast për këtë përleshje që po mbahet e fshehtë për publikun?
Për të marrë një konfirmim zyrtar lidhur me këtë rast, janë kontaktuar Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Ministria e Infrastrukturës.
Nga Policia nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Zëvendësministri, Hysen Durmishi ka rekomanduar të kontaktohet zyra për media.
“Nuk e di për besë, kontaktojë ata në Departament. Ose përmes zyrës për media, ose najqysh. Te unë po keni qasje ma lehtë se te zyra për media a? Shkruju ose diçka. S’po di çka me të thanë, kontaktoni diqysh”, tha Durmishi për Sinjalin.
As nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ende s’kanë dhënë përgjigje lidhur me rastin.


