Lajme

Haradinaj kritikon Qeverinë, lavdëron komunat e AAK-së për menaxhim

03/31/2022 20:22
nga:Astrit Gashi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar deputetët dhe kryetarët e kësaj partie me të cilët ka diskutuar dinamikat buxhetore në nivel qendror.

Në postimin e tij në Facebook, ai ka shkruar se AAK është duke i parë me shqetësim, sipas tij, dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë Kurti, e në veçanti dështimet që vendit t’i ofrojnë investime kapitale apo pako zhvillimore, e që sipas Haradinajt, që ka shkaktuar situatë të rëndë ekonomike e sociale.

“Me vetëm 7% rritje reale ekonomike, kryesisht falë remitencave, me deficitin tregtar mbi 3 miliardë euro, rritjen enorme të çmimeve, kjo qeveri nuk sjellë asnjë shpresë për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Më tej, Haradinaj lavdëroi komunat që udhëhiqen nga AAK, ku sipas tij, gjatë 100 ditëshit të parë të udhëheqjes, ato kanë treguar dinamizëm të lartë në qeverisje e janë shembull në nivel vendi.

Tutje, i pari i AAK-së tha se Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të ndryshoj dhe të përshtatet me kushtet e reja makroekonomike, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe të fillojë rishikimin e buxhetit.

“Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të fillojë rishikimin e buxhetit, duke ridestinuar mjetet që nuk do të mund të realizohen, përfshirë dhe për Ligjin e Pagave, e jo të keqpërdoret buxheti për qëllime populiste e elektorale”, ka shkruar Haradinaj.