Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Velija, avokat, Orhan Rekathati, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ku për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje ia ka shqiptuar dënimin unik prej 25 vitesh.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Bajram Velijajn, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, A.A me 14 plumba në gusht të 2019-ës.
Sipas vendimit të Apelit, kolegji i kryesuar nga gjykatësja Afërdita Bytyçi është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.13/20 i datës 01.10.2021, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.3 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par 1. të KPRK-së për të cilat është shpallur fajtor Bajram Velija i shqiptohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 25, vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 06.08.2019 e tutje.
Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Orhan Rekathati nga Prizreni, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin, me propozim që të aktgjykimi të ndryshohet për sa i përket sanksionit penal, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i butë me burgim.
Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit, pas njoftimit të të gjitha palëve, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes, pas studimit të aktgjykimit të ankimuar në pajtim me dispozitën e nenit 394 të KPRK-së dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesë gjeti se ankesa e mbrojtësit është pjesërisht e bazuar dhe atë vetëm për vendimin për dënimin, raporton, “ Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit e Kosovës në atkgjykimin e saj gjeti të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Velija se dënimi i shqiptuar është i ashpër dhe jo proporcional me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe se nuk ka pasur bazë ligjore për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
“Gjykata e Apelit gjeti si të bazuara pretendimet ankimore të mbrojtësit se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë se sa dënimi i shqiptuar ngase në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara shprehimisht nga neni 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtësit të akuzuarit janë të bazuara, ngase, pavarësisht, konstatimit të gjykatës së shkallës së parë, se rrethana lehtësuese nuk ka gjetur, në këtë çështje penalo-juridike ka edhe rrethana lehtësuese që gjykata e shkallës së parë, nuk i ka marr parasysh, pastaj, kur është fjala për rrethanat rënduese, përveç, që disa nga ato që gjykata e shkallës së parë, i ka konsideruar si rrethana renduese, kanë të bëjnë me elementet përbërëse të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, disa nga rrethanat tjera rënduese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, në fakt janë rrethana lehtësuese e jo rënduese.


