Lajme

Ambasadori i ri i SHBA-së, Christopher Hill arriti në Beograd

03/31/2022 14:59
nga:Astrit Gashi

Ambasadori i ri i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, para pak minutash ka arritur në Aeroportin e Beogradit. Ai ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, Julie Hill.

Diplomati amerikan pritet që të sjell një frymë të re në zhvillimet në Ballkan Perëndimor, sidomos në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë pasi që ka qenë i involvuar në zhvillimet në rajon qysh në vitet e 90-ta.

Ardhja e tij si ambasador në Serbi kompleton edhe mozaikun e Administratës së Joe Biden në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Me Jeffrey Hovenier si ambasador në Prishtinë dhe Gabriel Escobar si i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Pas arritjes në Beograd, Hill tha se është i lumtur që ka arritur në kryeqytetin e Serbisë dhe se për këtë është përgatitur për një kohë të gjatë.

“Ishte një udhëtim i gjatë, Julie dhe unë jemi tejet të kënaqur që jemi në Serbi. Jemi përgatitur për një kohë të gjatë për këtë”, tha Hill, duke qartësuar se ardhja e tij tani nuk ka lidhje me zgjedhjet në Serbi dhe se ka udhëtuar pasi që kandidatura e tij është konfirmuar nga Senati amerikan.