Kuvendit i Kosovës pritet që të formojë Komisionin për Ndihmë Shtetërore që do të përbëhet nga dy anëtarë.
Kandidatët për anëtarë në këtë komision janë: Ardian Hoti, Fatlume Jaha, Shkodran Manaj dhe Vlora Haziri.
Votimi për këta kandidatë do të bëhet në mënyrë të fshehtë, teksa kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tregoi mënyrën e votimit deri tek përzgjedhja e këtyre dy anëtarëve.
“Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për ndihmë shtetërore bëhet me votim të fshehtë – me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që marrin pjesë në votim”.
“Nëse në raundin e parë të votimit asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk i merr votat e mjaftueshme atëherë konkursi përsëritet”.
“Nëse në raundin e parë të votimit zgjidhet vetëm një anëtar atëherë mbahet raundi i dytë i votimit për një tjetër anëtar me dy kandidatët më të votuar në këtë proces, duke e hequr kandidatin me më së paku vota nga raundi i parë i votimit” tha Konjufca.
Konjufca, mes tjerash, tha se për të bërë këtë votim të fshehtë kërkohet formimi i një komisioni të votimit në Kuvend.


