Ambasada e Ukrainës në Beograd ka reaguar sot ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Ambasada theksoi se Kievi ka qenë gjithmonë në anën e Serbisë dhe se është e mendimit se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe lidershipit të saj për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.
“Ne kemi nderin të konfirmojmë se Ukraina po mbështetet te Serbia jo vetëm për të dënuar agresionin në shkallë të gjerë të nisur nga regjimi i tërbuar i presidentit rus Vladimir Putin kundër shtetit sovran dhe evropian të Ukrainës, por edhe për të vendosur sanksione ndaj agresorit”, tha ambasada ukrainase.
Kjo është, siç thuhet, “e nevojshme për të ndalur regjimin e Putinit, i cili po kryen vrasje të fëmijëve ukrainas, po bombardon shkolla, spitale, dhe maternitete dhe po shkatërron qytete”.
Lidhur me deklaratën e sotme të Vulinit se “ata që bombarduan Jugosllavinë nuk kanë të drejtë morale të kërkojnë nga Serbia vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, Ambasada e pyeti ministrin serb të policisë nëse ai vërtet mendon se Ukraina e ka bombarduar Jugosllavinë dhe i rekomandoi të lexojë një tekst ku thuhet se Kievi ishte ndër të parët që dënoi sulmin e NATO-s kundër Jugosllavisë.
“Kjo është arsyeja pse Ukraina, e cila ka qenë gjithmonë në anën e Serbisë, po bën thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj shtetit agresor. Dhe për disa arsye ju nuk po i përgjigjeni Ukrainës, por disa vendeve të tjera,” i tha Ambasada Vulinit.
Lidhur me deklaratën e Vulin se “të gjithë ata që e urrenin Rusinë nuk e kanë dashur Serbinë” dhe se “çdo gjë që u bëjnë fëmijëve rusë sot, do t’ua bëjnë nesër fëmijëve serbë”, ambasada deklaroi se nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt e deri mëngjesin e sotëm, “vetëm sipas të dhënave të konfirmuara, ushtria ruse vrau 143 fëmijë në Ukrainë, nga familje ukrainase, ruse, bjelloruse, hebreje dhe familje të tjera “dhe se” 216 fëmijë u plagosën rëndë ose lehtë”.
“Por padyshim që zoti Vulin nuk shqetësohet për fatin e këtyre fëmijëve. Gjithashtu duam të tërheqim vëmendjen e ministrit për faktin se dashuria për Rusinë dhe regjimin kriminal të Putinit janë reciprokisht përjashtuese. Siç ishte dikur pamundur të duash vërtet Gjermaninë dhe të mbështesje regjimi nazist të Adolf Hitlerit”, theksoi Ambasada.
Më herët, në një intervistë, Vulin deklaroi se ata që bombarduan Jugosllavinë nuk kanë të drejtë morale të kërkojnë nga Serbia vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Vulin vlerësoi se konflikti në Ukrainë nisi një valë rusofobie, e cila sipas tij përfundon gjithmonë me serbofobi.
“Të gjithë ata që e urrenin Rusinë nuk e donin Serbinë. Çdo gjë që u bëjnë fëmijëve rusë sot do t’u bëhet fëmijëve serbë nesër,” tha Vulin.
Vulin përsëriti se krijimi i “botës serbe” mbetet misioni i tij politik.
“Nuk ka pasur kurrë një Serbi të Madhe, do të kishte qenë fat po të kishte ekzistuar, por Hitleri krijoi një Shqipëri të Madhe. Të gjitha kombet kanë një aspiratë të natyrshme për t’u bashkuar, vetëm serbët nuk guxojnë”, tha Vulin.
Ai shtoi se stabiliteti i Ballkanit “varet” nga Serbia dhe akuzoi liderët e disa vendeve të rajonit se “kërkojnë grurë, vaj, vaksina nga Serbia dhe pështyjnë më pas mbi të”.
“Zhelko Komshiq dhe Milo Gjukanoviq mes dy vakteve të bukës serbe e pështyjnë Serbinë. Kur u duhen ndonjë gjë, nga vaksina kundër koronavirusit e deri te te buka, aty e kanë Serbinë, e në anën Mali i Zi dhe Bosnja nuk dëshirojnë të hyjë në Ballkanin e Hapur, sepse është, siç thonë projekti i Serbisë së Madhe të Vuçiqit”, ka vlerësuar Vulin.


