Lajme

Peach: Kosova ka të drejtë sovrane për moslejimin e zgjedhjeve serbe

03/27/2022 20:54
nga:Gazeta Blic

LEmisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votën e serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Në një intervistë për Vjestin të dielën, ai megjithatë ka theksuar se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë. Porse Peach ka thënë se “mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast, vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se ka vetëm një mënyrë të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, ajo është përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces dhe unë personalisht, si i dërguar, punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se në fund të fundit ky proces u përket këtyre dy vendeve. Ata duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit të Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme dhe të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është e qartë se gjetja e një zgjidhjeje është në interes dhe kontribuon në sigurinë e të gjithëve në rajonin më të gjerë. U bëj thirrje liderëve të të dyja palëve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive”, ka thënë ai.

Derisa ka komentuar edhe iniciativën për “Ballkanin e Hapur”, Peach ka thënë se i mirëpresin iniciativat që synojnë mbështetjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin ekonomik dhe tregjet e hapura.

“Por është e rëndësishme që proceset e reja të plotësojnë iniciativat ekzistuese në vend që të përplasen me to, dhe që ato të jenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kushte të barabarta. Një treg më i unifikuar do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do ta bëjë atë më tërheqës për investimet e huaja. Iniciativa e Tregut të Përbashkët Rajonal është një mekanizëm thelbësor për integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal, i cili shkon paralelisht me perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë ai.