Geek

Elon Musk po mendon të krijoj një rrjet të ri social, thotë se këto që ekzistojnë po minojnë lirinë e fjalës

03/27/2022 17:22
nga:Donika Fetahu

Drejtori i kompanisë Tesla, Elon Musk, po mendon në krijimin e një platforme të re të mediave sociale.

Musk i është përgjigjur pyetjes së përdoruesit të Twitter, lidhur me atë nëse po shqyrton idenë e krijimit të një platforme të mediave sociale që mbështet në algoritmet e kodit të hapur – duke i dhënë prioritet lirisë së të shprehurit ku propaganda do të ishte minimale.

Ai është përdorues aktiv i Twitter, por këtë platformë kohëve të fundit ka filluar ta kritikojë. Madje ka thënë se kjo kompani po minon demokracinë duke mos iu përmbajtur parimit të lirisë së fjalës.

E ky postim i tij vjen në kohën pasi publikoi një anketë në Twitter, ku u kërkonte përdoruesve të tregojnë nëse besojnë se Twitter i përmbahet parimit të lirisë së fjalës, e 70 për qind votuan për “jo”.

“Pasojat e kësaj ankete do të jenë të rëndësishme. Ju lusim që me kujdes të votoni”, tha ai të premten.


E nëse Musk vendosë për krijimin e një platforme të re, do t’i bashkohet porotfolit në rritje të gjigantëve të teknologjisë, që janë të pozicionuar si kampion të lirisë së fjalë, dhe që shpresojnë të tërheqin më shumë përdorues që ndihen se qëndrimet e tyre janë “shtypur” në platformat si Twitter, Facebook dhe YouTube.